Këllez
Të gjithë fshatrat në zonën e Lunxhërisë ruajnë një ose më shumë kisha të periudhës pasbizantine, të gjitha me vlera për arkitekturën dhe pikturën e kohës. Në fshatin Këllez ndodhet kisha e Shën Kollit si dhe gjurmët arkeologjike të periudhës helenistike pranë saj. Disa banesa në këtë fshat ashtu si dhe ne fshatrat e tjerë të Lunxhërisë kanë edhe detaje arkitektonike të spikatura, sidomos përsa i takon trajtimit të portave monumentale hyrëse, dritareve etj. Një pjesë e konsiderueshme e rrugicave kanë ende kalldrëmet origjinale. Në pjesën e sipërme të fshatit gjejme kishën e Shën Kollit. Kisha e mirëmbajtur nga banorët ka arkitekturë të thjeshtë. Në brendësi të saj ruhen pjesë të rëndësishme të afreskeve të datuara në fund të shek. XVIII.
Brenda në kishë ruhet edhe një stelë (gur varri) e periudhës helenistike e ripërdorur në kishë. Ajo ka ende në sipërfaqe pjesë pikture që tregon se është përdorur në brendësi të kishës, ndoshta në ikonostas.
Pranë kishës duken mjaft blloqe guri të skuadruar antikë që dëshmojnë për ekzistencën aty të një vendbanimi të hershëm.