erind

Erindi është fshati i rradhës në zonën e Lunxhërisë ku u ndalëm për të parë aktraksionet e tij dhe për të mësuar më shumë mbi historinë dhe kulturën. Erindi ishte një nga pikat ku ndaloi poeti anglez, Lord Bajroni, i cili, kur ishte 21 vjeç, ndenji gjatë 17-19 tetorit 1809 në Erind e Qestorat, përgjatë udhëtimit që frymëzoi poemën e famshme Shtegtimi i Çajld Haroldit, botuar 3 vjet më vonë, në 1812. Disa ngjarje të rëndësishme që lidhen me të kaluarën dhe të sotmen e fshatit janë krijimi i cetës “Lato Braho” në gusht të vitit 1943, i cetës ” Mihal Duri”, festa përkujtimore e formimit të batalionit “Misto Mame” në Shën Todhër, etj. Erindi krenohet për personalitete të jetës politike dhe shoqërore ndër vite, për Petro Pogen që arriti në karrierë edhe ministër dhe punoi për hartimin e Kushtetutës së Mbretërisë dhe të Legjislacionit të Shtetit Shqiptar. Vdiq në Erind në vitin 1944. Heronjtë e popullit Misto Mame dhe Mihal Duri, Vangjel Noti, i cili ka marrë pjesë në lojrat Panjoniane në Greqi në vitin 1936 me rekorde olimpike ne vrap e kërcim së larti. Foto Stamo Piktor i Popullit etj. Këto dhe figura të tjera të fshatit kujtohen dhe nderohen për kontributin që kanë dhënë për fshatin, krahinën dhe vendin. Në Erind gjejmë Kishën e Shën Kollit, kjo kishë është një bazilikë e vonë me tre nefe e mbuluar me kupola e ndërtuar në vitet 1857-1859. Ndërtimi është cilësor dhe me një monumentalitet të thjeshtë e impozant. Vetëm absida është trajtuar me pretendime dekorative. Në brendësi ruhen mirë pikturat e strukturave mbuluese. Burimet historike flasin për një manastir të Shën Thanasit të shek. XVI në Erind, por ky nuk njihet.